Çfarë është Bashkimi Kombëtar
“Bashkimi Kombëtar” është një Grup Refleksioni për çështjen kombëtare shqiptare dhe zgjidhjen e saj.
Për herë të parë çështja kombëtare shqiptare u shtrua për zgjidhje në 3 mars 1878 me Traktatin e Shën-Stefanit sipas të cilit një pjesë e tokave shqiptare, të cilat ndodheshin në atë kohë në perandorinë otomane, do t’i jepeshin Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Shqiptarët u organizuan në Lidhjen e Prizrenit me qëllimin e mbrojtjes së trojeve të tyre. Disa muaj më pas, me qëllimin e gjetjes së një zgjidhje afat-gjatë për kombin shqiptar dhe duke parashikuar rreziqet që po vinin, Lidhja e Prizrenit, nën shtytjen e Abdyl Frashërit paraqiti një program i cili synonte bashkimin e katër vilajeteve ku banonin shqiptarët në një vilajet të vetëm shqiptar në kuadrin e perandorisë otomane. Ky program nuk mundi të realizohet por vendosi bazat e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare duke propozuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një entitet të vetëm kombëtar.
Tre dekada më vonë, në 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë duke përfshirë të gjitha trojet shqiptare. Por gjysma e tokave shqiptare ishin pushtuar ushtrakisht nga vendet fqinje, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi dhe qeveria e Vlorës nuk kishte as fuqinë e mjaftueshme ushtarake, as aleancat e duhura ndërkombëtare për të vendosur sovranitetin mbi këto troje. Konferenca e Londrës në mbledhjen e mbajtur në 29 korrik 1913 njohu Pavarësinë e Shqipërisë por la jashtë saj gjysmën e tokave shqiptare dhe ua njohu ato vendeve fqinje: Kosovën dhe Maqedoninë shqiptare Serbisë dhe Çamërinë Greqisë.
Është momenti i dytë kur çështja shqiptare u shtrua përsëri për zgjidhje por Shqiptarët nuk patën mundësi të bënin asgjë deri në fund të viteve ’30. Përkundrazi atyre iu desh të konsolidonin shtetin shqiptar të njohur nga Konferenca e Londrës, i cili rrezikohej përsëri nga politikat agresive të fqinjëve. Por më në fund, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u krijua në Shqipëri një organizatë e fuqishme politiko-ushtarake, Balli Kombëtar, i cili veproi edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Programi i Ballit Kombëtar ishte “Dekalogu”, i cili si objektiv të parë kishte çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi i huaj dhe si objektiv të dytë bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar që ishte “Shqipëria Etnike”. Për shkaqe të brendshme por edhe të jashtme ky program nuk mundi të realizohet, por konfirmoi bashkimin në një shtet të vetëm kombëtar si zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe hodhi bazat për hapat e mëtejshëm.
Sot, me çlirimin e Kosovës nga Serbia (12 qershor 1999) dhe Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës (17 Shkurt 2008), është një tjetër moment kur çështja kombëtare shqiptare shtrohet për zgjidhje. A është bashkimi kombëtar, domethënë bashkimi i të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm kombëtar, ashtu siç ishte përcaktuar nga Rilindja Kombëtare, zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare ? A ka ardhur momenti i bashkimit kombëtar dhe si do të realizohet ai?
Pikërisht diskutimi dhe shkëmbimeve i ideve rreth këtyre pyetjeve, gjithmonë nga pikëpamja e interesit kombëtar shqiptar dhe në një frymë konstruktive, është qëllimi i këtij grupi refleksioni. Janë të ftuar të gjithë shqiptarët e interesuar për këto çështje, kudo që ndodhen, të marrin pjesë në këto diskutime apo shkëmbime idesh në formë artikujsh të dërguar në adresën tonë të kontaktit.
Grup Refleksioni “Bashkimi Kombëtar“
Kontakti: redaksia@bashkimi-kombetar.org