Strategjia e Kosovës

Strategjia e Kosovës

Aktualiteti, Ardhmëria 0 Comment

Historia na tregon se Lidhja e Prizrenit ishte e para që hodhi idenë e bashkimit kombëtar në vitin 1878 dhe veproi për ta realizuar atë. Për shkaqe të brendshme dhe të jashtme ky projekt nuk u realizua menjëherë por e shtroi çështjen shqiptare për zgjidhje. Hapi i parë drejt zgjidhjes ishte shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë për të gjitha tokat shqiptare në 28 nëntor 1912. Por shteti i parë shqiptar i njohur nga e gjithë bota në Konferencên e Londrës në vitin 1913 përfshinte vetëm gjysmën e tokave dhe popullsisë shqiptare duke lënë jashtë tij Kosovën, Maqedoninë shqiptare, Çamërinë, tokat shqiptare në Mal të Zi etj.

Një hap tjetër drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare ishte çlirimi i Kosovës nga Serbia në qershor 1999 dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008. Por megjithëse shteti i Kosovës njihet sot nga mbi 100 vende të botës, ai nuk njihet nga OKB sepse pengohet nga Rusia, Kina dhe sidomos nuk njihet nga Serbia e cila nuk pranon daljen e Kosovës nga sundimi i saj. Madje, megjithëse nuk e kontrollon më Kosovën ushtarakisht, megjithëse Kosova ka shpallur Pavarësinë, dhe totalisht kundër vullnetit të Kosovës dhe popullsisë së saj, Serbia në kushtetutën e saj e quan pjesë të sajën Kosovën, gjë që i lë mundësinë ta sulmojë atë ushtarakisht. Nga ana tjetër Serbia ka vite që armatoset me arsenal ushtarak sulmues, me avionë luftarakë etj. çka tregon qartë se ajo po përgatitet për një sulm ndaj Kosovës.

Natyrisht që këtë sulm Serbia nuk mund ta realizojë aktualisht, sepse Kosova ndodhet nën mbrojtjen e NATO-s nëpërmjet KFOR-it, por sigurisht që Serbia pret një moment më të përshtatshëm ndërkombëtar me shpresën që një ditë NATO dhe KFOR do të largohen nga Kosova dhe ajo do të mund të veprojë lirisht kundër Kosovës.


Nga ana tjetër Bashkimi Europian është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë duke shpresuar që kjo e fundit ta njohë realitetin dhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Serbia ka paraqitur shumë kërkesa, ku më kryesorja është ajo e “Asociacionit të Komunave Serbe”, por pa u angazhuar për asgjë. Jo vetëm kaq, por Serbia ka tentuar edhe një ndërhyrje paramilitare në veri të Kosovës, në Banjskë, në vitin 2023 dhe i mbron autorët e saj. Kjo tregon se Serbia nuk është aspak serioze në bisedimet për këtë marrëveshje dhe se qëllimi i saj përfundimtar është ripushtimi i Kosovës. Përfitimet që do të sillte kjo marrëveshje janë në funksion të këtij qëllimi. Serbia thotë se i kërkon këto përfitime gjoja për “mbrojtjen e të drejtave” të serbëve të Kosovës, por këto të drejta ata i kanë tashmë sepse Kushtetuta e Kosovës, e hartuar nga ndërkombëtarët dhe ish kryeministri i Finlandës Arti Ahtisaari, ua ka njohur atyre me shumë zemërgjerësi. Por sigurisht për Serbinë kolonizatore të drejtat e 100 mijë Serbëve vlejnë më shumë se të drejtat e 2 milionë Shqiptarëve! Për Serbinë kolonizatore serbët e Kosovës duhet të kenë më shumë të drejta se shqiptarët e Kosovës!

Duke qenë se Serbia nuk është aspak serioze në këto bisedime, se nuk angazhohet për njohjen e Kosovës dhe se çdo përfitim do ta përdorte kundër shtetit të Kosovës dhe Shqiptarëve, Kosova nuk ka asnjë interes dhe rrjedhimisht nuk duhet të angazhohet në asnjë marrëveshje me Serbinë që do të njihte “Asociacionin” apo kërkesa të tjera të këtij lloji.


Një ide tjetër që është përfolur në Kosovë ka qenë edhe ajo e “shkëmbimit” të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ku vija e kufirit midis dy shteteve do të ndryshonte duke lënë në Serbi komunat e veriut me shumicë serbe të Kosovës dhe duke futur në Kosovë Luginën e Preshevës dhe Bujanocin, krahina me shumicë shqiptare në Serbinë aktuale. Ideja në pamje të parë duket e arsyeshme duke parë vendosmërinë e serbëve të veriut të Kosovës për të mos u integruar dhe për të mos pranuar shtetin e Kosovës nga njëra anë si dhe dëshirën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës. Kjo ide mund të kishte funksionuar nëse Serbia do të kërkonte me të vërtetë një zgjidhje dhe do të pranonte të njihte Kosovën e pavarur. Por ky nuk është aspak qëllimi i Serbisë e cila, siç pamë edhe më sipër, e mban Kosovën në kushtetutën e saj dhe armatoset me shpejtësi. Nëse një ditë Kosova do të pranonte një marrëveshje të tillë, Serbia do të përfitonte për të rrëmbyer veriun e Kosovës dhe për të destabilizuar më tej shtetin e ri të Kosovës. Kjo do të ndikonte negativisht edhe tek përkrahja ndërkombëtare për Kosovën e cila ka ardhur për këtë shtet në kufijtë aktualë dhe jo të ndryshuar. Për këto arësye “shkëmbimi i territoreve” nuk duket të jetë një zgjidhje realiste, është një utopi dhe si e tillë dhe nuk duhet pranuar nga Kosova.

Një ide tjetër që është përhapur në Kosovë nga disa është edhe ajo e “kombit kosovar”. Këta “intelektualë” shpresojnë ndoshta se mund të krijojnë një “komb” të përbashkët me serbët dhe se duke bërë këtë Serbia do ta njohë Kosovën dhe ndërkombëtarëve do t’iu bëhej qejfi për këtë gjetje “fenomenale” ballkanike ku kombet krijohen me një të rënë të lapsit! Por nuk ka utopi më të madhe se kjo! Krijimi i një kombi është një proces i gjatë shumë-shekullor i cili bazohet në gjuhë e zakone të ngjashme, në një histori të përbashkët dhe jo të përkundërt luftrash dhe paqeje, në interesa dhe ndjenja shpirtërore të përbashkëta, në heronj dhe armiq të përbashkët. Shqiptarët dhe serbët janë dy kombe diametralisht të kundërta, që i lidhin vetëm luftrat dhe armiqësia, që kanë gjuhë tradita dhe zakone krejtësisht të ndryshme. Maksimumi që mund të bëjnë është që të jenë fqinj të mirë, secili në vendin e vet. Dhe ndoshta me kohë, pas shumë kohësh, kur breza të tjerë të kenë ardhur, kur mendjet e nxehta të jenë ftohur, kur sytë të shikojnë qartë pa vellon e ideologjive supremaciste serbe, ndoshta atëhere këto dy kombe do të jetojnë në paqe dhe do të ndjekin rrugën e progresit dhe të begatisë. Por për momentin vetëm fqinj të mirë, secili në shtëpinë e vet.


Ideja e “kombit kosovar” është jo vetëm utopike por edhe e dëmshme, sepse e vetmja gjë që mund të sjellë është një tjetër përçarje dhe pështjellim midis shqiptarëve të Kosovës por edhe një largim dhe distancim nga shqiptarët e Shqipërisë dhe të trojeve të tjera shqiptare.

Në këto kushte si duhet të veprojë Kosova? Kur nga njëra anë ka Serbinë që pret vetëm rastin për ta sulmuar dhe nga ana tjetër i kërkohet nga ndërkombëtarët të bëjë lëshime të tjera nga sovraniteti i saj? Dhe e ka me të vërtetë një zgjidhje dhe cila do të jetë ajo?

Në radhë të parë Kosova duhet të vazhdojë konsolidimin e shtetit të saj, të institucioneve të tij demokratike dhe të ekonomisë së saj. Për aq sa mundet duhet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake, duke patur parasysh kufizimet në kontrollin e hapësirës ajorore që sot sigurohet nga KFOR-i. Një pikë kyçe për Kosovën është ruajtja e aleancave me vendet mike, sidomos atyre që kanë të drejtë vetoje në OKB.

Në radhë të dytë, Kosova nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje ku ajo detyrohet të lëshojë sovranitetin a arritur me një çmim shumë të lartë. Asnjë marrëveshje për Asociacionin apo për shkëmbim territoresh! Natyrisht do të duhet shumë diplomaci për t’u duhet shpjeguar vendeve mike se përse Kosova nuk mund t’i pranojë këto marrëveshje por me argumente të forta çdo gjë mund të sqarohet.

Në radhë të tretë Kosova duhet të mendojë edhe se drejt cilës zgjidhje duhet të shkojë si përfundim. Në një kontekst ndërkombëtar tejet kompleks dhe në lëvizje duhen marrë parasysh të gjithë skenarët e mundshëm. Zgjidhja përfundimtare, cilatdo që të jenë zhvillimet ndërkombëtare, për mendimin tim është bashkimi me Shqipërinë, që do të ishte hapi i parë dhe më i madh i bashkimit kombëtar.

Por bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk mund të bëhet pa u plotësuar më parë disa kushte. Në radhë të parë Shqipëria nuk është e gatshme për këtë bashkim. Elita e saj politike nuk e kupton nevojën e bashkimit apo nuk është e interesuar për atë. Qeveria socialiste e Edi Ramës as nuk e ka në mendje këtë bashkim. Retorika “patriotike” është vetëm për konsum të brendshëm elektoral. Në realitet qeveria socialiste ka vepruar kundër interesave të Kosovës dhe bashkimit kombëtar, duke hyrë në “Ballkanin e hapur” me Serbinë, dhe duke e izoluar në njëfarë mënyre Kosovën. Atëherë kur duhej qenë bashkë përballë Serbisë. Nga ana tjetër, sigurisht që opozita e sotme shqiptare me partinë demokratike do të kishte një qëndrim tjetër ndaj Kosovës. PD thotë se do ta përkrahte shtetin e Kosovës dhe do të kishte qëndrime të unifikuara më atë përballë Serbisë. Por ka pak të ngjarë që PD të shkojë më larg se kaq. Nëse një ditë Kosova duhej mbrojtur ushtarakisht apo të bashkohej me Shqipërinë, nuk mendoj se elita e sotme politike shqiptare do të ishte e gatshme ta bënte këtë.

Këtë mund ta bënte vetëm një forcë politike me të vërtetë nacionaliste. Në Shqipëri sot ekzistojnë parti politike si PBK (Partia Balli Kombëtar) që e ka bashkimin kombëtar në program, por këto forca nuk kanë peshë në politikën shqiptare. Thënë shkurt nacionalizmi shqiptar nuk është i përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj kushti i parë për bashkimin kombëtar është fuqizimi i forcave politike nacionaliste në Kuvendin e Shqipërisë.

Kushti i dytë do të jetë rritja e kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë në një nivel të ngjashëm me atë të Serbisë. Por Shqipëria sot është shumë mbrapa. Nuk ka një flotë të mirëfilltë ajrore ushtarake, nuk ka avionë luftarakë, nuk ka një mbrojtje moderne ajrore të aftë që të përballojë sulmet e Serbisë mbi të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarët.
Puna e parë e një qeverie nacionaliste do të ishte sigurimi i buxhetit dhe krijimi i një force të tillë ajrore dhe kundrajrore.

Kushti i tretë është sigurimi i përkrahjes së aleatëve për bashkimin Kosovë-Shqipëri. Natyrisht që aleatët tanë do të dëshironin që Kosova të funksiononte si shtet i pavarur dhe kanë ndihmuar mjaft në këtë drejtim. Por edhe ata e shikojnë se ka 18 vjet që Serbia, Rusia dhe Kina e pengojnë këtë pavarësi me të gjitha mënyrat. Edhe ata e shikojnë se Serbia po armatoset me shpejtësi dhe përgatitet të sulmojë Kosovën. Edhe ata e shikojnë se nuk do të ketë rrugë tjetër për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe vendosjen e paqes në Ballkan. Prandaj si përfundim mund ta pranojnë bashkimin Kosovë-Shqipëri si zgjidhjen më të mirë për të qetësuar rajonin.

Shqiptarët jetojnë sot në një moment kyç të historisë së tyre i cili do të vendosë për të ardhmen e kombit shqiptar: a do të realizohet bashkimi kombëtar dhe a do të kemi një shtet kombëtar shqiptar i cili do t’iu lejojë shqiptarëve të shkojnë drejt paqes, progresit dhe begatisë? Apo do të rrimë kështu siç jemi, të ndarë dhe të përçarë, nën sulmin e fqinjve që do të përpiqen vazhdimisht t’i japin një zgjidhje çështjes në favorin e tyre, qoftë duke i asimiluar shqiptarët apo duke i përzënë nga trojet e tyre?

Nëse duam t’i japim çështjes kombëtare një zgjidhje të vërtetë, bashkimin kombëtar, atëherë duhet të punojmë çdo ditë pa reshtur derisa ta realizojmë atë, derisa të realizojmë kushtet e renditura më sipër për të arritur në këtë bashkim. Të gjithë shqiptarët mund dhe duhet të kontribojnë për bashkimin kombëtar, kudo qofshin ata, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo në troje të tjera shqiptare. Një kontribut të madh mund dhe duhet të japin shqiptarët në emigracion, ashtu siç ka ndodhur historikisht. Vetëm kur të jemi, ashtu siç e thotë edhe himni ynë kombëtar, të gjithë bashkë, rreth flamurit të përbashkuar, me një dëshirë me një qëllim, vetëm atëhere do të realizohet Bashkimi Kombëtar, vetëm atëhere do të zgjidhet çështja kombëtare dhe do të vendoset paqja në Ballkan.

Xhemil Meço

Author

Leave a comment

Bashkimi Kombëtar © 2026 - Të gjitha të drejtat të rezervuara

Search

Back to Top

Exit mobile version